Ekspozitë

MICHEL SETBOUN “40 VJET HISTORI NE VENDIN E SHQIPONJAVE”

MICHEL SETBOUN
“40 VJET HISTORI NE VENDIN E SHQIPONJAVE”

Michel Setboun është një artist francez i lindur në Algjeri. Pas eksperiencës si arkitekt, ai nisi të punonte si fotograf në vitin 1978 dhe përgjatë dhjetë viteve udhëtoi botën në emër të agjencisë Sipa, duke mbuluar ngjarje të mëdha mediatike. Ai u bashkua me agjencinë Rapho në 1986. Tashmë një fotograf i pavarur, ai vazhdon të punojë në projekte fotografike personale. Michel Setboun konsiderohet si një ndër foto-reporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Shqipërinë. Arkivi i tij fotografik mbi Shqipërinë e viteve 1981 – 1991, ka mijëra e mijëra fotografi dhe është i një rëndësie tejet të veçantë, si historike ashtu edhe artistike. E realizuar pas dy ardhjeve të artistit në Shqipëri gjatë harkut kohor nëntor 2018 – prill 2019, ekspozita zhvillohet nën një fizionomi artistike personale të fotografit dhe synon të transmetojë ndryshimet e fuqishme në historinë dhe individin shqiptar gjatë këtyre 25 viteve të fundit të post-komunizmit dhe demokracisë.

Përmes rigjetjes së disa prej personazheve të fotografive nga vitet 1981 – 1991, dhe të rifotografuar në 2018-2019, artisti ofron pikëtakime dramatike mes imazheve të së shkuarës dhe së tashmes duke krijuar një panoramë gjithëpërfshirëse dhe unike të zhvillimit të individit dhe shoqërisë shqiptare ndër vite. Në këtë seri të re punësh Setboun përpiqet të shprehë  vizionin e tij unik si fotograf me një eksperiencë të gjatë njerëzore dhe profesionale mbi aspekte të jetës së përditshme në Shqipërinë tranzitore post-socialiste, për jetën e qytetit, fshatit dhe rrethinave, peizazhit urban, industrial, post-industrial e post-agrar, dhe dokumentimin e ndryshimeve sociale gjatë dy dekadave të fundshekullit të XX-të dhe më pas gjatë viteve 2000-jë. Fotografi kërkon të ngrijë çaste të jetës së përditshme dhe realitetit, në fotografi dhe video, për të krijuar bashkë me personazhet realë një koleksion të vërtetë dokumentues të kohës, të cilat si copëza të një mozaiku, krijojnë historinë, kulturën, etnografinë dhe traditën e një rajoni, e një vendi. Në këtë mënyrë, ky projekt i ri i tij mbi Shqipërinë kërkon t’u lërë brezave të ardhshëm përmes shenjave fotografike, edhe një tjetër dëshmi të multidimensionalitetit të jetës në këtë vend, duke krijuar kështu vlera të pazëvendësueshme historike dhe artistike. Ekspozita ka karakter artistik, historik, temporal, por me disonanca kronologjike dhe historike.

Për këtë projekt Setboun u shpreh se: “Dua t’i bie kryq e tërthor Shqipërisë, nga veriu në jug, përmes Shqipërisë qendrore, Rivierës, e të rizbuloj njerzit dhe vendet e fotografive të mia të vjetra, por jo për të bërë përsëri vetëm fotografi. Ideja është të takoj njerëz për t’ju dhënë mundësinë të flasin për fotografitë e bëra atëherë, por edhe për jetën e tyre në atë kohë. Në fokusin tim do të doja të përfshij edhe disa figura të çuditshme, si fantazma të së kaluarës, rrënojat e vjetra të mbetura nga koha komuniste apo bunkerët.”

Foto

Video

video