BIBLIOTEKA E KRYEMINISTRISË
Biblioteka e Kryeministrisë hapi dyert e saj më 8 Korrik 2015 si pjesë e COD në Kryeministri.
Biblioteka ka si qëllim t’i ofrojë publikut një mjedis të hapur dhe modern nga ku mund të shfrytëzohen koleksione me tematika të ndryshme kryesisht marrëdhënie ndërkombëtare, BE, shkenca politike, histori, arkitekturë, art, urbanizim, etj. Ajo është pjesë e sistemit online COBISS (Sistemi për shërbimet e përbashkëta bibliografike online), i cili ofron akses në 90 mijë tituj dhe është model reference për platformën e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit.
Në Bibliotekën e Kryeministrisë mund të gjenden koleksione të rralla librash, dorëshkrime, periodikë të ndryshëm, fjalorë, enciklopedi dhe gjithë fondi i Vendimeve të Këshillit të Ministrave, prej vitit 1945 e deri më sot. Gjithashtu në mjediset e saj mund të shfrytëzohet arkivi digjital i dokumenteve e fotove të Këshillit të Ministrave prej vitit 1912.
Fondi i Bibliotekës është pasuruar edhe me koleksione të veçanta të dhuruara nga ambasada të ndryshme, si ajo Amerikane, Italiane, Gjermane, Franceze, Austriake, Turke, Serbe e Kineze. Kryesisht ato janë botime që tregojnë për historinë dhe kulturën e vendeve përkatëse, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, politike, social-kulturore me vendin tonë e më gjerë.
Koleksione të veçanta ka dhuruar Osa Archivum i Budapestit, Akademia e Shkencave e Tiranës, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti Italian i Kulturës. Fondi është pasuruar edhe me një koleksion të përzgjedhur nga biblioteka personale e Ardian Klosit, dhuruar nga familja e tij.
Biblioteka e Kryeministrisë ofron gjithashtu botime të veçanta të digjitalizuara nga Biblioteka Kombëtare, koleksione kryesisht me tematikë formimin e shtetit shqiptar, ligje, dekrete, ndarje territoriale etj. nga viti 1912-1939.
MIQTË DHUROJNË LIBRA
Më 17.10.2015 në Bibliotekën e COD në Kryeministri, u promovua libri “Edhe një Shqip” i autores Rudina Xhunga. Ky libër erdhi si përmbledhje e programit televiziv politiko-shoqëror me të ftuar emrat më në zë të politikës, letrave, artit dhe filozofisë bashkëkohore në botë. “Shqip”-i iu drejtua një publiku mbarëkombëtar me moton: Një komb, tre kryeqytete, 10 milion shqiptarë. Në këtë aktivitet u dhuruan më rreth 100 kopje për të ftuarit dhe për Bibliotekën e COD, libra të cilët u mundësuan nga Universiteti Europian i Tiranës.
Më 06.11.2015 në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, u prezantua libri më i ri i Alastair Campbell, “Fitimtarët”, përkthyer në shqip pas një suksesi të bujshëm në Britaninë e Madhe dhe botimit të sapodalë në Shtetet e Bashkuara. Një libër mbi rrugën drejt suksesit, përmes rrëfimit të shembujve të suksesit, nga sportistët elitarë tek menaxherët e lartë, nga udhëheqësit e vendeve tek ata të kompanive globale të biznesit. Një diskutim i rrallë mbi skuadrën, lidershipin, strategjinë, talentin, fitoren, humbjen e me radhë, falë pranisë së vetë autorit dhe të ftuarit special, njeriut që me Milanin e trofeve të mëdha, shkroi një ndër faqet e arta të historisë së futbollit, Arrigo Sacchi, si edhe trajnerit të Kombëtares Kuqezi, Gianni De Biasi. Në këtë aktivitet u dhuruan rreth 100 kopje për të ftuarit dhe për Bibliotekën e COD, libra të cilët u mundësuan nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS).
Më 11.12.2015 në mjediset e COD në Kryeministri, u prezantua libri shumë i veçantë i Fred Abrahams “Shqipëria e Re – Nga diktatura në demokraci në Europë”. Libri i Abrahams, gazetar amerikan dhe dëshmitar okular i periudhës së ndryshimeve në Shqipëri, është shkruar në 25 vite me radhë mbi përjetime, dokumente arkivore në SHBA e Shqipëri, intervista të panumërta e analiza, duke krijuar një pasqyrë që vjen për herë të parë si reflektim profesional e i paanshëm i tranzicionit shqiptar. Në këtë aktivitet u dhuruan rreth 100 kopje për të ftuarit dhe për Bibliotekën e COD, libra të mundësuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS).
Më 1.12.2015, një dhuratë me vlerë iu shtua Bibliotekës së Kryeministrisë në Qendrën COD, nga Drejtoresha e Redaksisë së Gjuhës Shqipe të Radios së Jashtme të Kinës. Një sasi librash që e pasuruan edhe më tepër këtë qendër, si vend i hapur për dialog dhe art.
Ambasadori i Suedisë në Shqipëri z. Patric Svensson më 28.08.2015 i dhuroi Bibliotekës së COD një sasi librash në përputhje me koleksionet e saj. Gjatë takimit me drejtoreshën e Bibliotekës, znj. Dorotea Kerni, ai shprehu gatishmërinë e Ambasadës për bashkëpunime të mëtejshme me COD.
Më 29.01.2016 në Bibliotekën e COD u zhvillua ceremonia e dhurimit të librave nga Ambasada e Federatës Ruse. Ambasadori Aleksandër Karpushin i dorëzoi kësaj Qendre rreth 100 libra, duke pasuruar koleksionet e veçanta të Bibliotekës, kryesisht me vepra enciklopedike dhe historike.
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS) ka mundësuar blerjen e rreth 250 librave, fond që pasuroi më tej koleksionet kryesore të Bibliotekës.
Një sërë publikimesh u dhuruan nga Shell Upstream Albania B. V. për Bibliotekën e COD-it. Këto publikime mjaft të veçanta janë të destinuara për përdorim në Qendrën për Hapje dhe Dialog.
Frédéric Mitterrand, ish-ministër i Kulturës dhe Komunikimit në Francë, i dhuroi Bibliotekës së Kryeministrisë një fond të pasur me 1105 tituj, katalogë, studime dhe revista kulturore ndërkombëtare. Ambasada e Shqipërisë në Paris mundësoi këtë bashkëpunim.
Veran Matić ka dhuruar 102 vëllime për Bibliotekën e Kryeministrisë, duke e pasuruar me krijimtari të fushave të ndryshme në gjuhën serbe. Në këtë bibliotekë gjenden materiale interesante studimore, publicistike, informuese, historike apo artistike, në gjuhë të ndryshme.
FONDI I BIBLIOTEKËS
GJITHSEJ – 4 694 tituj
KOLEKSIONET
Marrëdhënie ndërkombëtare – BE
Fjalorë, Enciklopedi, Bibliografi;
Art, Urbanizim Arkitekturë;
Legjislacion
LIBRA TË DHURUAR – 4 494 tituj
Ambasada Amerikane, Italiane, Gjermane, Franceze, Turke, Austriake, Kineze, Serbe, Spanjolle, Ruse. Koleksione ka dhuruar Osa Archivum i Budapestit, Akademia e Shkencave e Tiranës, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti Italian i Kulturës, Musée d’Orsay, Shell Upstream Albania, Radio e Jashtme e Kinës, Universiteti Europian i Tiranës dhe personalitete të kulturës, artit, publicistikës, historisë e kërkimit shkencor.
LIBRA TË BLERË – 200 tituj
KOLEKSIONI I ARDIAN KLOSIT – 402 tituj
KOLEKSIONI LIRI BEGEJA DHE LUC BERNIER – 49 tituj
KOLEKSIONI FRĖDĖRIC MITTERAND – 1105 tituj
KOLEKSIONI VERAN MATIĆ – 75
FLETORE ZYRTARE – 254 copë (lidhje) prej vitit 1922
VENDIME, LIGJE, DEKRETE, URDHRA – 1.034 copë (lidhje) prej vitit 1945
LIBRA TË DIGJITALIZUAR – 49 tituj
KATALOGU ONLINE COBBIS
Regjistrime në sistemin e përbashkët të katalogimit online – 2.021 tituj