Mite të Vjetra Moderne

→ Ekspozita | “LIRI PËRMES ARTIT”

“LIRI PËRMES ARTIT”
27-31/01/2020

@ COD – Center for Openness and Dialogue

Ekspozita përmban një koleksion punimesh pirografike të realizuara nga persona që ndodhen në kushtet e lirisë së kufizuar. Përgjatë kohës së implementimit të projektit “Së bashku të ndryshojmë jetët tona” brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit IEVP Ali Demi dhe IM Kavajë, gratë dhe të miturit kanë ushtruar artin e djegies në dru si mënyrë shprehëse të botës emocionale të tyre.

Në këtë koleksion do të prezantohen para publikut 53 punime pirografike që prekin tematika të ndryshme, duke nxjerrë në pah talentin e personave. Punimet janë të punuara përgjatë vitit 2018, periudhë gjatë së cilës u instalua për herë të parë atelie-ja artistike si një risi në këto institucione. 

Punimet janë të formave dhe madhësive të ndryshme. Në to gratë dhe të miturit pasqyrojnë emocionet, ndjenjat, historitë e tyre dhe realitetin ku ndodhen me një vërtetësi therëse. Çdo punim, gjithashtu, përmban një pjesëz jete duke lënë gjurmë në një panel druri.

Punimet pirografike nuk janë i vetmi produkt i ateliesë; vetë procesi i realizimit të tyre ka patur një efekt të fuqishëm në përmirësimin dhe lehtësimin e gjendjes në të cilën këta persona ndodhen, duke ndikuar që ata të jenë më paqësorë, komunikues dhe bashkëpunues me njëri tjetrin. 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 janar 2020.