774328_109381042574595_1786553942_oShyqyri Sako

lindi në mars 1937 në Kolonjë. Pasi mbeti jetim në moshën 7-vjeçare, pas vdekjes së dy prindërve, u rrit në shtëpinë e fëmijës. Mori mësimet e para për vizatim në “Shtëpinë e Pionierit” në Korçë nga piktori Guri Madhi dhe në “Shtëpinë e Kulturës” nga piktori Vangjush Mio. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” (1951-1955), nën drejtimin e pedagogëve Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Odhise Paskali dhe Janaq Paço. Në vitin 1958 nisi studimet e larta në Institutin e Kinematografisë “VGIK” në Moskë, ku studio tre vite me radhë me njërin prej piktorëve më të mëdhenj rusë të filmit, Iosif Shpinel nga i cili përfitoi shumë (Shpinel kish qenë, mes të tjerash, edhe piktor i filmit “Skënderbeu” dhe piktori i shumë filmave të Sergei Eisenstein). Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Sako kthehet në Tiranë në 1961 dhe përfundon diplomimin si piktor filmi në vitin 1962, nga Instituti i Lartë i Arteve. Gjatë periudhës 1962-1997 punoi në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke realizuar skenografi, kostume dhe pllakate të filmave shqiptarë.