20131020-224226

Michel Setboun,

ka lindur në Algjeri me 27 gusht 1952. Ai ka punuar për revista të njohura ndërkombëtare, si: Geo, Figaro Magazine, New York Times, Life, Paris Match, Stern. Setboun e filloi karrierën si arkitekt dhe vazhdoi më pas si fotograf. Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si revolucionin në Iran, luftën për pavarësi në Angola, Afganistan, luftën Iran-Irak dhe me vonë luftën civile në Liban. Ai është plagosur në El Salvador gjatë luftës civile atje. Nga viti 1983 deri më 1985, ai punoi për agjencinë e Black Star France në Indi, Afganistan dhe Suedi. Ndërsa nga periudha kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet për Korenë e Jugut, Shqipërinë, Mongolinë dhe Rio de Zhaneiron për agjencinë RAPHO. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka udhëtuar ne më shumë se 130 vende të botës. Në 1984 Michel Setboun fitoi çmimin e parë World Press Photo për reportazhin e tij në lidhje dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Sertboun është gjithashtu autor i librave të shumtë fotografikë dhe arkivi i tij fotografik përmban mbi 200 galeri fotografike, që kanë me qindra nëngaleri mbi Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antarktidën, Argjentinën, Beninin, Brazilin, Kanadanë, Kepin e Gjelbërt, Kilin, Kinën, Kubën, Egjiptin, Etiopinë, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Guatemalën, Guajanën, Hong Kongun, Indinë, Indonezinë, Irakun, Iranin, Izraelin, Italinë, Kenian, Korenë, Mauritaninë, Makaon, Meksikën, Monakon, Mongolinë, Marokun, Hollandën, Norvegjinë, Pakistanin, Poloninë, Portugalinë, Katarin, Rumaninë, Rusinë, Salvadorin, Suedinë, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Turqinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uzbekistanin, Jemenin, etj. Setboun, ka qenë i vetmi fotograf francez që ka fotografuar fillimin e Revolucionit Iranian (1978 – 1979) dhe rënien e regjimit të mëparshëm.