Ekspozitë

→ Një rrugëtim i vështirë – 20 vjet pas

Me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Qendra për Hapje dhe Dialog COD, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut QSHDNJ hapën ekspozitën “Një rrugëtim i vështirë – 20 vjet pas.”

Ekspozita na ktheu pas në kohë, në vitet 1998-1999, kur lufta dhe terrori u përhapën anë e mbanë Kosovës, kur zjarri dhe vrasjet masive i detyruan njerëzit të iknin nga sytë këmbët për të shpëtuar nga vdekja.

Kosova u boshatis, njerëzit u larguan drejt Maqedonisë, Shqipërisë e vendeve të tjera përreth. Mbi 500 mijë kosovarë erdhën në Shqipëri, ku gjetën siguri dhe ngrohtësi që aq shumë e dëshironin.

Në këto kushte, QSHDNJ dhe QSHRT (Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës) u angazhuan me të gjitha forcat dhe kapacitetet e veta për të asistuar të ardhurit nga Kosova, kryesisht fëmijët dhe të moshuarit, në Tiranë dhe Durrës. Mësues e psikologë, mjekë e infermierë nga Shqipëria e Kosova u angazhuan për t’u përballur me traumën e përjetuar në kalvarin e dhimbshëm të eksodit të tyre drejt Shqipërisë. Ishin momente të vështira për t’u treguar; mes tyre kishte prindër që kishin humbur fëmijët në luftë, vajza dhe gra të përdhunuara dhe poshtëruara, të moshuar që nuk kuptonin çfarë po ndodhte, të sëmurë që kërkonin kujdes mjekësor, etj. QSHDNJ dhe QSHRT angazhuan rreth 280 punonjës për të përballuar problemet dhe traumën e rreth 45 mijë refugjatëve të vendosur në Tiranë dhe Durrës.

Ekspozita flet me ngjyrat, me vargjet, me prozën. Flet me zjarret, me shkatërrimin, me helikopterët Apache, me tanket, me kallashët, e më tej me shpresën e ëndrrën, me shkollat e shtëpitë e reja.

Le të punojmë të gjithë që të tilla situata të mos përsëriten më.