MYRTIS

→ Ekspozita | "Myrtis: ballë për ballë me të shkuarën”

COD hapi për publikun, më 14 shtator 2018, ora 18:00, ekspozitën e titulluar “Myrtis: ballë për ballë me të shkuarën”. Një ekspozitë e veçantë që vjen për herë të parë në Shqipëri nga muzetë e mëdha të Greqisë.

Ekspozita sjell në hapësirat e COD, si rrallë herë, një shumëllojshmëri objektesh arkeologjike e teknologjike, piktura, skulptura, fotografi, vizatime dhe instalacione.

Myrtis është një vajzë 11 vjeçare, e cila u nda nga jeta në mënyrë tragjike nga epidemia e tifos që pllakosi Athinën e lashtë dymijë e pesëqind vjet më parë!

Për arkeologët dhe historianët, fytyra e kësaj vajze të vogël ka sjellë në jetë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë greke dhe iu ka dhënë përgjigje shkaqeve të humbjes së jetës së shumë athinasve.

Myrtis është një vajzë e veçantë edhe për Kombet e Bashkuara.

Tetë vite më parë, ajo u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë është “ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët.

Po, është e vërtetë që Myrtis vdiq nga ethet e tifos përpara 2500 vjetësh, por në ditët e sotme kjo nuk duhet të ndodhë.

Të dhënat nxjerrin në pah faktin se pavarësisht përpjekjeve shumë të mëdha për reduktimin e vdekshmërisë tek fëmijët dhe në luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera, çdo vit mbi 6 milionë fëmijë humbin jetën përpara se të arrijnë moshën pesë-vjeçare. Sëmundjet që mund të parandalohen përmes vaksinimit vazhdojnë të jenë sërish shkak që 1,5 milionë njerëz të humbin jetën çdo vit nëpër botë.

Objektivi i tretë i Zhvillimi të Qëndrueshëm : Shëndet i Mirë dhe Mirëqenie, promovon mënyra jetese të shëndetshme, masa parandaluese dhe kujdes shëndetësor modern dhe efikas për të gjithë. Aksesi në mjekësi dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo individ duhet të marrë trajtimin e nevojshëm për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.

Ekspozita “Myrtis: Ballë për ballë me të shkuarën” shpalos fytyrën e rindërtuar, shoqëruar me shkrime dhe imazhe të cilat përshkruajnë plot gjallëri botën në të cilën ka jetuar Myrtis, përpjekjet e saj, sfidat e saj, duke sjellë në jetë në të njëjtën kohë epokën e Perikliut dhe Luftën e Peloponezit.

Ekspozita qëndroi e hapur per publikun deri më 6 tetor, 2018.