Ornela-Vorpsi-homepage

COD hap sezonin 2018-2
Ekspozita “Providence”, Ornela Vorpsi

Tiranë, 11 prill 2018 – COD hapi sezonin e dytë të 2018-s, me ekspozitën “Providence” të artistes Ornela Vorpsi. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Kryeministri z. Edi Rama, përfaqësues të institucioneve të kulturës, artit, medias, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Ceremonia u hap me fjalën e kuratorit të kësaj ekspozite, z. Genti Gjikola, i cili u shpreh se “Ekspozitën në vetvete mund ta quajmë një mid-career retrospective, një retrospektivë e mesit të karrierës artistike, dhe do e cilësoja si një “gesamtkunstwerk”, (vepër totale arti) sepse përmbledh shprehje të saj në teknika të ndryshme që nga vizatimi, piktura, instalacioni, fotografia dhe video.” Në prezantimin e punëve të artistes, Gjikola vlerësoi se “vepra pamore e artistes Ornela Vorpsi ka si themel botën sensuale, emocionale dhe-sipas tij- në kontrast me shumicën e artit konceptual e bashkëkohor, shprehet përmes një strukture të qartë e ritmi të balancuar”.

Më tej, artistja Ornela Vorpsi, vlerësoi ftesën e COD duke e cilësuar si “një dhuratë të jashtëzakonshme” për të dhe realizimin e kësaj ekspozite në nivelet më të larta artistike.

“Jam jashtë mase e prekur dhe e kënaqur për të gjetur fjalët e duhura për këtë mrekulli që ju më ofroni sonte, që vendi im më ofron sonte” tha ajo, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së saj, të parën personale, në Shqipëri.

Ornela Vorpsi prezanton 38 punime në hollin protokollar të Kryeministrisë, sallën “TakoArtistin” dhe në sallën “Forum”. Pjesë e ekspozitës është edhe një instalacion i veçantëi ndërtuar me librat e saj, botuar në gjuhë të ndryshme.

Ekpozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 qershor.

Ornela Vorpsi lindi në Tiranë më 1968. Aktualisht jeton dhe punon në Paris. Vorpsi përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve (1987 – 1991), në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras në Milano (1992 – 1996) dhe më pas në Universitetin Paris VIII, (1997). Ka marrë pjesë në shumë ekspozita në grup, të kuruara nga kuratorë të mirënjohur si Harald Szeemann, Paul Ardenne dhe Walter Keller. Punët e saj gjenden në koleksione të rëndësishme, përfshirë dhe koleksionin FNAC (Fondacioni Kombëtar i Artit Bashkëkohor në Francë), si dhe në shumë koleksione private. Pasi u vendos në Paris në 1997, Vorpsi iu kushtua edhe letërsisë. Në vitin 2010, Aleksandar Hemon dhe Zadie Smith e cilësuan atë si një nga 35 shkrimtaret më të mira të Europës në “Best European Fiction”. Librat e Vorpsit janë përkthyer në 18 gjuhë.