4MEnell_WIFI2016

COD hap sezonin 2018-1
Ekspozita “Tani tani tani”
e Mia Enell

Tiranë, 9 janar 2018 – COD hapi sezonin e parë të 2018 me ekspozitën “Tani tani tani” të artistes Mia Enell. Në ceremoninë e hapjes me praninë e Kryeministrit dhe artistes së mirënjohur morën pjesë përfaqësues të institucioneve të kulturës, artit, medias, trupit diplomatik, kabinetit qeveritar dhe organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe institucioneve publike.

Mia Enell prezantoi 22 punime në hollin protokollar të Kryeministrisë dhe në sallën “Tako Artistin”. Ekspozita që gërsheton pikturën me vizatimin është kuruar nga Genti Gjikola dhe bën bashkë vepra që “përtej lehtësisë së dukshme dhe thjeshtësisë, shfaqin kompleksitetin e botës që Mia Enell kërkon të zbulojë”.

Ceremonia u hap me fjalën e znj. Eridana Çano, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Sezoni i parë i 2018-s sjell risi, i organizon veprimtaritë e COD në disa linja konkrete e komplekse dhe i bën ndërvepruese hapësirat, gjithnjë duke pasur qytetarin në qendër.

Në vijim, kuratori Genti Gjikola prezantoi punën e artistes, e cila ekspozon për herë të parë për publikun shqiptar. Sipas tij, “thuajse në të gjitha veprat që shihen në këtë ekspozitë, duket se ka shpresë që me anë të një përpjekjeje të veçantë, një “ndërrimi të lëkurës”, një propozimi me “ide të mira”, ardhjes së një zarfi misterioz, një udhëtimi në vende të largëta ku qielli është i kuq dhe valët e detit janë të zeza si bitum, me ombrellë në dorë, njeriu bashkëkohor do të gjejë shpëtim”.

Më pas, Mia Enell foli për artin e saj, gjuhën e tij dhe komunikimin me publikun. “Nuk dua që puna ime të ketë të bëjë vetëm me një gjë. Nëse vepra kërkon qëllimisht të mos bjerë në sy dhe ka një fill humori, mundet që ajo të hedhë dritë mbi çështje madhore dhe jo thjesht një ide,” u shpreh Enell. “Gjithnjë jam munduar ta mbaj veprën time të hapur. Ke mundësi të bësh një zgjedhje, të përqendrohesh dhe ta mbyllësh punën, ose ta mbash të hapur atë. Unë zgjedh ta mbaj të hapur.” Krijimtaria e Enell dhe veprat e prezantuara në Shqipëri janë pjesë e katalogut “Tani tani tani”, i mundësuar për vizitorët e ekspozitës.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 9 mars 2018.

Mia Enell lindi më 1967 në Goteborg të Suedisë. Aktualisht jeton dhe punon në Nju Jork, SHBA. Enell përfundoi Shkollën e Artit Nyckelvikskolan në Stokholm (1987) dhe më pas Shkollën e Lartë Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris, DNSAP (MFA), (1992). Punët e saj janë prezantuar në shumë ekspozita kolektive e vetjake, në muze e galeri të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Veprat e Mia Enell gjenden në koleksione të mëdha ndërkombëtare dhe private, përfshirë L.A.C.M.A., Muzeun e Arteve në Los Anxheles; Koleksionin Borghese, Itali, Koleksionin Ahrenberg, Zvicër; Statens Konstråd – Agjencia Kombëtare e Artit Publik, Suedi; Fondin e Depozitave e Investimeve dhe FNAC – Fondin Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Paris, Francë.