“Shqipëria nga brenda dhe jashtë”

 

Ekspozitë fotografike e Virginie Caquot

 

Tiranë, 15 maj 2017 – Cikli “Shqipëria nga brenda dhe jashtë” vijon me ekspozitën “Tirana në rrugëtim” të Virginie Caquot, në kuadër të shkëmbimeve kulturore Francë – Shqipëri dhe marrëveshjes “Les temps forts entre l’Albanie et la France” . Të ftuar artistë, fotografë, përfaqësues të trupit diplomatik, publicistikës, shoqërisë civile e studentë. Aktiviteti është i hapur për mediat.

 

E hapur në COD nga data 15-31 maj, ekspozita sjell imazhe të Tiranës, përgjatë rrugëve të saj, në dy vitet e fundit. Sipas Caquot: “Ka shumë ndjesi në situatat e reja… Muajt pas mbërritjes janë më të rëndësishmit në kapjen e hendekut midis mënyrës se si shpërfaqet një vend dhe asaj ç’ka është në të vërtetë. Prandaj duhet të dalësh, të ecësh, të ndalesh, të humbasësh, të përvetësosh hapësirën e të thithësh çdo gjë nga ajo ç’ka percepton, ajo që sheh, dëgjon dhe ndien”. Në këtë mënyrë, qyteti ndryshon dhe evuolon në sytë e atij që e sheh pas objektivit e përmes tij, fikson kundërvënie e pranëvënie realitetesh.

 

Më herët, Caquot ka prezantuar projektet e veta në Forumin e COD, dhe punimet e saj kudo nëpër Shqipëri. Në këtë rast, duke zgjedhur një qasje artistike që e sheh Tiranën “së jashtmi” bardhë e zi, në mjediset e Qendrës reflektohen njëri pas tjetrit momente të jetës së përditshme në kryeqytet, të ritreguara me mjeshtërinë e fotografes.

 

Virginie Caquot, e lindur në veri të Francës, u diplomua për Shkenca Humane. Fillimisht punoi si mësuese e më pas iu dedikua fotografisë, të cilën e praktikon prej 20 vjetësh. Pas tre viteve në Brazil (2012 – 2015), aktualisht jeton e punon në Tiranë, si fotografe e pavarur.

*  *  *

 

COD zhvillon aktivitete në linja, si Hapësira Rinore, Hapësira e Filmit, Konferencë në COD, Ekspozita, Bisedë në COD, Takim në COD, Podiumi i COD.  Ekspozitë në COD është një linjë e veçantë prezantimesh artistike, veçanërisht me tema sociale dhe nga artistë e kuratorë të profileve e moshave shumë të ndryshme. Këto ekspozita zhvillohen disa herë në vit dhe mund të ketë deri në 4-5 prej tyre gjatë një sezoni tremujor të COD, i cili kurohet duke u fokusuar në një temë kryesore dhe ekspozita qendrore zgjat gjatë gjithë sezonit.

 

Për të rejat më të fundit, si dhe për të ndjekur kalendarin e sezonit 2017 abonohuni në buletinin elektronik në www.cod.al, ku mund të rezervohen vizitat në COD dhe pjesëmarrja në aktivitete.

 

COD mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe mbështetjen e krijimtarisë.