img

Ekspozitë në COD
“Ngjyrat e Shqipërisë”

Tiranë, 21 nëntor 2017 – Në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, COD prezanton ekspozitën fotografike “Ngjyrat e Shqipërisë”, me punimet më të mira që promovojnë Shqipërinë në botë. Në ceremoninë e hapjes me praninë e Ministrit Ditmir Bushati, janë ftuar artistë, fotografë, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve të integrimit, organizatave ndërkombëtare, medias, shoqërisë civile dhe studentë. Aktiviteti është i hapur për mediat dhe mund të ndiqet në live stream.

Fushata mbarëkombëtare “Ngjyrat e Shqipërisë/ Colours of Albania” është zhvilluar për të tretin vit radhazi nga Ministria e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën Norvegjeze në Kosovë dhe British Council në Tiranë. Diplomacia digjitale, në këtë rast vihet në veprim përmes përdorimit të një instrumenti të thjeshtë e pa kosto, të mundshëm për çdo shqiptar e të huaj që përdor rrjetet sociale dhe dëshiron t’i bëjë të njohura ngjyrat e “Shqipërisë së tij”.

Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë qytetarët për tre muaj me radhë dhe ka përfshirë të rinjtë, të apasionuarit pas fotografisë, udhëtimit, artit, kulturës, natyrës, etj. Këtë vit temat ishin për ngjyrat e shoqërisë, bashkëjetesën fetare, qytetet e fshatrat mahnitëse, bregdetet e peizazhet e paprekura, si dhe portretet e realitetin shqiptar. Mbi 23 mijë foto u bënë pjesë e garës, me pamje që ia vlejnë të rrëfehen dhe i japin vlerë vendit. Element i qenësishëm i tyre është tradita dhe zbulimi e rizbulimi i Shqipërisë, pas objektivit të çdokujt që e jeton atë.

Në këtë kuadër, fotot më të arrira prezantohen në një ekspozitë të posaçme në mjediset e bibliotekës së COD. Pamjet fituese do të jenë pjesë e albumit që do t’u shpërndahet të gjitha përfaqësive shqiptare nëpër botë dhe do të përdoret si dhuratë simbol i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Prezantimi i ekspozitës ndiqet nga bashkëbisedimi me të ftuarit i Ministrit Bushati, bisedë e fokusuar në qëllimin dhe rezultatet e nismave të tilla, që i japin formë imazhit të Shqipërisë në botë. Konkretisht, pas objektivit janë njerëzit e zakonshëm, kryesisht të rinjtë, që me talentin dhe kontributin e tyre mund të shërbejnë si ambasadorë të Shqipërisë. Është arritur që përmes imazheve, si forma lehtësisht të perceptueshme nga publiku, të përcillen denjësisht vlerat dhe traditat vendase. Dhe më shumë se të tregohet me një fotografi, është synuar të nxitet reflektim apo të adresohet një realitet që i duhet kushtuar vëmendje.
Më herët, promovimit të Shqipërisë online i janë bashkuar figura si Lorik Cana, Kombëtarja Shqiptare, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Kledi Kadiu e shqiptarë të tjerë të mirënjohur në botë.

* * *

COD zhvillon aktivitete në linja, si Hapësira Rinore, Hapësira e Filmit, Konferencë në COD, Ekspozita, Bisedë në COD, Takim në COD, Podiumi i COD. Ekspozitë në COD është një linjë e veçantë prezantimesh artistike, veçanërisht me tema sociale dhe nga artistë e kuratorë të profileve e moshave shumë të ndryshme. Këto ekspozita zhvillohen disa herë në vit dhe mund të ketë deri në 4-5 prej tyre gjatë një sezoni tremujor të COD, i cili kurohet duke u fokusuar në një temë kryesore dhe ekspozita qendrore zgjat gjatë gjithë sezonit.

Për të rejat më të fundit, si dhe për të ndjekur kalendarin e sezonit 2017 abonohuni në buletinin
elektronik në www.cod.al, ku mund të rezervohen vizitat në COD dhe pjesëmarrja në aktivitete.

COD mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe mbështetjen e krijimtarisë.