proces

COD hap sezonin 2017-1
Proceset dhe rezultatet

Falma Fshazi

 

Diku në fillim të viteve ’90 Shqipëria hyri, pak nga dinamikat e brendshme e më shumë për shkak të kontekstit ndërkombëtar, në një proces pluralizmi, demokratizimi dhe ndërtimi të institucioneve përkatëse. Është ky një proces që vazhdon akoma i zhytur në tensione politike dhe në një hapësirë publike të dominuar nga radikalizmi i akuzave të ndërsjella, që pengon zhvillimin e një debati të shumëllojshëm e trajtimin me profesionalizmin dhe qetësinë e duhur të shumë tematikave të tjera. Nuk mund të thuhet prerë nëse është mungesa e kulturës së dialogut që sjell këtë lloj debati, apo është ky debat që nuk lë të zhvillohet dhe margjinalizon dialogun… Sido që të jetë, një gjë është e qartë, sot pasi Shqipëria numëron disa breza të rritur në postkomunizëm, mund të pyesim veten për procesin e lirisë e demokratizimit dhe rezultatet e tij. Ku e filluam dhe ku jemi; ishte më i rëndësishëm procesi apo rezultati; në rendjen drejt rezultateve, çfarë solli mosdhënia e rëndësisë së duhur procesit; institucionet demokratike janë proces apo rezultat; në fund të ditës, ajo me çfarë përballemi sot, si institucione, politikë, hapësirë publike, jetë komunitare, cilësi jetese e cilësi demokracie, në ç`raport është me çfarë kërkuam në fillimet e ’90-s?

Nuk kemi pretendimin se këto janë pyetje të cilave, vetëm COD apo veç me aktivitetet që sjell ky sezon i COD mund t’u kthejmë përgjigje. Qëllimi është të sjellim në vëmendjen e secilit këto pikëpyetje që i flasin, sa memories dhe ndërgjegjes sonë kolektive, sa asaj individuale. Në fund të fundit, brenda ose jashtë vendit, në pozicion vendimmarrës, apo në një funksion modest, i përfshirë në jetën publike apo në kushte të ndryshme të aktivitetit privat, secili ka një kontribut në shkallë të ndryshme te proceset dhe te rezultatet e përbashkëta. Pa dyshim, përgjegjësia kryesore bie mbi të gjithë vendimmarrësit në vite, por edhe te mënyra se si ato trajtohen e pikëpyeten nga vetë qytetarët, për aq sa qytetari i thjeshtë shqiptar ka pasur mundësinë ta ngrejë e t’i dëgjohet realisht zëri në këto vite të gjata andrallash me liri, demokraci, reforma, institucione e transformim hapësirash publike.

Këto pikëpyetje që kanë të bëjnë me të ardhmen, më shumë se me të shkuarën, kemi vendosur t’i trajtojmë në katër linja krejtësisht të ndryshme me njëra-tjetrën, por të ndërlidhura nga i njëjti fill mendimi, marrëdhënia mes procesit dhe rezultatit. Përkthimin artistik të kësaj qasjeje e pamë veçanërisht grishës te të tre format, në dru, mermer e metal, të Pjerin Kolnikajt, në ekspozitën e titulluar “Skulptura si fjalë dhe fjala si skulpturë”. Menduam se duke parë 3 vepra që në thelb kanë thjeshtësinë dhe komunikimin e unit me natyrën, mund të provokonim një refleksion mbi ato çfarë vendi ynë, Shqipëria, ka më natyrale, më thelbësore dhe si i kemi trajtuar ato deri tani. E kam fjalën veçanërisht për natyrën dhe pasuritë kulturore, atë çfarë mund të bëhej me ta, çfarë bëmë me ta e çfarë po bëjmë tani. Fjala si skulpturë dhe skulptura si fjalë na kujton dhe atë që ne pretendojmë ta kemi shumë të shtrenjtë, besën, e na bën të pyesim, cilën besë mbajtëm e cilën dhunuam, e çfarë u mbetet fjalëve tona, atyre të intelektualëve, politikanëve, njerëzve të angazhuar, të thëna qysh në fillim të pluralizmit… Çfarë thamë e çfarë bëmë, çfarë themi e çfarë bëjmë…

Proceset dhe rezultatet janë shumë të rëndësishme në aspektin më të brishtë të jetës në Shqipëri; përkujdesjes, ndërgjegjes dhe qasjes sociale. Ndaj e menduam veçanërisht të rëndësishme të krijojmë një hapësirë të veçantë pune, ku arti dhe qeverisja dialogojnë apo dhe përballen me sipërmarrjet sociale. E kuruar nga artistja e asociuar në COD, Valentina Bonizzi, kjo hapësirë është ndërtuar në mënyrë që t’i shpalosë çdo vizitori, sapo hyn, situatën ligjore në lidhje me sipërmarrjen sociale e në vijim ta përfshijë në një dhomë pune ku fokusi është te procesi, si garancia e rezultateve konkrete, ndaj dhe quhet Arti i Procesit. I punuar në detaje dhe si një seri takimesh pune e prezantimesh nga personalitete ndërkombëtare të fushës, kjo seri diskutimesh sociale në sfond institucional e artistik formëson linjën e dytë kryesore të këtij sezoni të parë për 2017-n dhe të pestin që organizon Qendra për Hapje dhe Dialog.

Për të kuptuar ku jemi me rezultatet, menduam se një perspektivë tjetër e rëndësishme është syri i të rinjve, gjimnazistëve që, me shumë ëndrra, shpresa e pasion të sinqertë, presin t’u vijë radha të kontribuojnë për vendin, ashtu siç presin një vend ku ato mund të kontribuojnë, pa dallim statusi social, lidhjesh partiake të familjes, biznesi që menaxhon familja, etj. Janë 3 gjimnaze të Tiranës që, në bashkëpunim me artisten Yllka Gjollesha, do të ekspozojnë art bashkëkohor në tematikat “Shmangia e rutinës”, “Jeta me sytë e një adoleshenti” dhe “Shoqëria shqiptare në fokus”. Si i thonë, zemra donte që të sillnim dhe perspektivën e studentëve nga qytetet e tjera dhe shkollave më periferike. Por COD është një institucion që punon me mjete shumë të kufizuara. Ashtu siç COD nuk përfshihet në asnjë lloj marrëveshje sponsorizimi që shkon përtej një marrëdhënie mbështetjeje qëllimesh kulturore e sociale të ndërsjella. Rrjedhimisht, nuk patëm mundësinë të sjellim për të punuar me ne disa ditë në javë shkollat nga qytetet e fshatrat e vendit. Mbetet ky një synim për muajt e ardhshëm, ndërsa besojmë se ndërkohë, nuk do të na zhgënjejnë në pritshmërinë për një analizë kritike të shoqërisë sonë gjimnazistët e Tiranës.

Linja e katërt dhe e fundit që ne propozojmë për këtë sezon është një seri prezantimesh të librit dhe ekspozitash fotografike. E para ka të bëjë me kujtimet e ish-të dënuarve politikë, të cilët besojmë janë kryesorët që mund të na tregojnë ku ishim, çfarë ëndërronim e ku jemi, në raport me ëndrrat më të bukura e të brishta, ato për një vend të mendimit të lirë. Seria titullohet “Nuk ma vrisni dot fjalën!” dhe vjen si rrjedhojë e bashkëpunimit të ekipit të COD me gazetarë, shoqërinë civile dhe qytetarë të thjeshtë, ish-të dënuar politikë e familjarët e tyre. Kjo linjë reflektimi përballet me një analizë vizuale të realitetit, atë të ekspozitave nga fotografë shqiptarë e të huaj, të titulluar “Shqipëria nga brenda dhe jashtë”. Besojmë se me këto dy linja sjellim reflektime shumë personale, të domosdoshme për një shumëllojshmëri perspektivash dhe gërshetimin e personales me kolektiven, e privates me publiken në Shqipërinë pluraliste.

Nën ombrellën e një institucioni, hija e rëndë e të cilit, për shkak të historikut të tij shkon përtej rëndesës së natyrshme që ka Kryeministria, Qendra për Hapje dhe Dialog, ndryshe COD, është përpjekur të ofrojë një hapësirë dialogu e mirëkuptimi që tejkalon çdo tension, kontradiktë apo mos/marrëveshje që është shpërfaqur historikisht e tradicionalisht në bulevardin kryesor shqiptar. Sa është ky një qëllim i mundur në këtë bulevard, në kushtet e Shqipërisë apo në tërësi, në kontekste të ngjashme, këtë do ta tregojë vetëm koha. Gjithsesi, ne do të vijojmë punën me përkushtim e me mirënjohje ndaj të gjithë atyre emrave të njohur, qytetarëve të thjeshtë, djemve e vajzave, studentë, artistë, shoqëri civile, aktorë ndërkombëtarë, profesionistë të fushave të ndryshme që kanë bashkëpunuar me ne, na kanë vlerësuar apo na kanë kritikuar, pa komplekse e pa paragjykime.

Së fundmi, duhet të theksojmë se në përballjen e rezultatit me procesin, ne jemi me procesin dhe besojmë se nuk është qëllimi që justifikon mjetet, por mjetet që formësojnë qëllimin.